Տարածաշրջան: Սերբիա

Deklaratë e përbashkët e të rinjve nga jugu i Serbisë

Organizatat e shoqërisë civile nga Serbia nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje autoriteteve dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrin hapa për të siguruar pjesëmarrje më të madhe të të rinjve në procesin e vendimmarrjes dhe ndërtimin e paqes në përputhje me parimet e Rezolutës 2250 të Kombeve të Bashkuara “Rinia, Paqja dhe Siguria”.

Deklarata i referohet edhe dhjetëvjetorit të Planit shtatëpikësh për Integrimin e Shqiptarëve dhe thekson rëndësinë e përfshirjes së perspektivës së të rinjve për përmbushjen e detyrimeve të planit. Deklarata e plotë është më poshtë:

Angazhimi i të rinjve në Serbinë jugore

Ne të poshtë-shënuarit bëjmë thirrje për hapa më të mëdhenj për të siguruar pjesëmarrjen e të rinjve në procesin e vendim-marrjes dhe të ndërtimit të paqes në Serbinë jugore, në përputhje me frymën dhe parimet e Rezolutës 2250 të Këshillit të Sigurimit të KB-ve për Rininë, Paqen dhe Sigurinë.

Kriza demografike që ka prekur komunitetet anembanë Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor është para së gjithash çështje e të rinjve; të atyre që vendosin të largohen nga shtëpitë e tyre sepse nuk shohin ndonjë të ardhme të qëndrueshme. Për t’i kuptuar shkaqet – dhe zgjidhjet e mundshme – të këtij problemi, të rinjtë duhet të dëgjohen.

Dhjetë vjet pas Planit Shtatë-Pikësh që ka të bëjë me komunitetin shqiptar në Serbinë jugore, ne besojmë fuqimisht se është koha që të inkorporohen zërat e të rinjve, për të siguruar realizimin e zotimeve të atij plani. Të gjitha komunitetet janë të prekura nga dështimi i zgjidhjes së çështjeve që lidhen me integrimin.

Shumë nga fushat trajtuara nga plani prekin të rinjtë, veçanërisht ato fusha që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike; arsimin, kulturën dhe mediat; si dhe masat e sigurisë dhe të ndërtimit të besimit.

Ndonëse i mirëpresim përpjekjet e fundit për përtëritjen e planit dhe zbatimin e tij, mendojmë se progresi mund të përshpejtohet duke i dëgjuar pikëpamjet dhe vizionet e të rinjve për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura në Serbinë jugore.

Sa i përket ekonomisë, për shembull, nivelet e larta të papunësisë së të rinjve vazhdojnë t’i shtyjnë njerëzit të kërkojnë mundësi diku tjetër; një problem i cili ndërlikohet më tej nga mungesa e progresit në njohjen e diplomave. Çdo plan për ta rigjallëruar ekonominë e Serbisë jugore duhet t’i ketë të rinjtë në qendër të tij.

Energjia dhe krijimtaria e lindur tek të rinjtë do të thotë se ata janë element i pashmangshëm i çfarëdo progresi në sferën e arsimit, të kulturës dhe të medias. Gjuha mbetet pengesë kryesore për integrimin dhe ne do të përpiqemi të punojmë përmes strukturave të arsimit formal dhe joformal, për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.

Përvojat këtu dhe gjetiu tregojnë se të rinjtë zotërojnë kurajon dhe guximin e nevojshëm për t’u përballur me trashëgimitë nga e kaluara, si dhe për të ndërtuar besimin në dobi të së ardhmes. Duke iu kundërvënë gjuhës së urrejtjes dhe retorikës përçarëse, jemi të përkushtuar t’i ulim tensionet aty ku ato mund të shfaqen dhe t’i sfidojmë mënyrat se si komunitetet e ndryshme flasin për njëri-tjetrin. Qoftë kjo përmes sportit, artit, kulturës apo mjeteve të tjera, ne do të hulumtojmë mënyra për t’i bashkuar të rinjtë nga komunitetet e ndryshme. Tashmë ka shumë shembuj pozitivë që do t’i lartësojmë dhe do t’i ndajmë me të tjerët.

Me Trupin Koordinues për Komunat e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës, tani nën udhëheqjen e re, besojmë se ky është një moment i rëndësishëm për të përqafuar qasje të reja për zgjidhjen e sfidave me të cilat ballafaqohen të gjitha komunitetet në Serbinë jugore.

Po ashtu e mirëpresim Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) të sapoformuar dhe shpresojmë që mandati i tij do të përdoret për t’i avancuar, në mënyrë të shprehur qartë, interesat e të rinjve në Serbinë jugore; jo vetëm në lidhje me Planin Shtatë-Pikësh, por në fushën e kulturës, arsimit, informacionit dhe të përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit. U bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me KKSH-në dhe udhëheqjen e saj

Në fund, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, e veçanërisht Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të konsultohet aktivisht me aktivistët rinorë dhe shoqërinë civile që e përfaqëson rininë, për të siguruar që nevojat dhe brengat e tyre të përfshihen në diskutimet rreth Serbisë jugore.

Për një kohë tepër të gjatë flitet për të rinjtë në Serbinë jugore, por rrallëherë flitet me ta. Ne i dimë nga përvoja e dorës së parë sfidat me të cilat përballen të rinjtë dhe jemi të gatshëm të propozojmë zgjidhje për të siguruar që sa më shumë prej tyre të zgjedhin të mbeten në Serbinë jugore dhe të ndërtojnë një shtëpi plotë jetë për veten dhe familjet e tyre.

  1. Shoqata e të rinjve “Naš svet, naša pravila”
  2. Shoqata “Livrit “
  3. Shoqata “Beyond”
  4. Shoqata “Budi aktivan 16”
  5. Građanske inicijative
  6. Iniciativa mladih za ljudska prava Srbija
  7. Shoqata “Erudita”
  8. Hanapress.net
  9. Udruženje Romkinja Bujanoc
  10. Shoqata “The Future”
  11. Omladinski centar za promene
  12. Info Wiki
  13. Agreenment
  14. Qendra B