Raporti më i fundit i PCi-së, Gratë në media, e trajton pozitën e grave në media dhe pabarazinë gjinore nëpër redaksi në Serbi dhe në Kosovë. Në këtë studim prezantohen rezultatet nga një konsultim i kryer me afro një mijë profesionistë të medias si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, si pjesë e projektit të PCi-së për Ballkanin Perëndimor ‘Fuqizimi i zërave lokalë për zhvillim të barabartë’ (ALVED). Në raport gjithashtu parashtrohen rekomandime se si mund të adresohen gjetjet nga ky studim.
Në ngjarjen ku u bë lansimi i raportit, të mbajtur më 2 mars, njëkohësisht në Prishtinë dhe në Beograd, morën pjesë një numër i mediave lokale dhe i organizatave të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues nga zyra e ‘Komisionerit për Barazi’ të Serbisë dhe Ambasada Britanike. Dëgjuam paraqitjet nga hulumtueset kryesore të këtij studimi: Dafina Halili (Kosovë) dhe Tamara Skrozza (Serbi), të cilat prezantuan gjetjet kryesore të studimit. Po ashtu, në panelin e kësaj ngjarjeje patëm kënaqësinë t’i mirëpresim aktivisten Valmira Rashiti (Rrjeti i Grave të Kosovës), Zorana Antonijević (eksperte dhe aktiviste për çështjet gjinore) dhe znj. Majlindë Sinani-Lulaj (Zëvendëse e Avokatit të Popullit).
Në këtë studim u nënvizuan disa shifra alarmante përkitazi me statusin e grave në media në Kosovë dhe në Serbi. Së këndejmi, një në tri gra që punojnë në mediat serbe dhe një në katër që punojnë në mediat e Kosovës kanë qenë viktima të ngacmimeve seksuale. Një tjetër shifër e zymtë, prej afër 30% të grave që punojnë në mediat e Kosovës dhe ato të Serbisë janë diskriminuar për shkak të moshës ose të pamjes së tyre. Përveç kësaj, shtatë në dhjetë gra po mendojnë ta ndërrojnë punën për shkak të pabarazisë që ato përjetojnë në profesionin e medias.
William Hopkinson, sekretar i parë politik, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, komentoi si vijon: ‘Siç u nënvizua nga diskutimi, nuk është gjë e rehatshme të lexohet ky raport‘. Ai vuri në dukje se: “Nëse media nuk mund t’i trajtojë çështjet e pabarazisë, shoqëria nuk mund të ecë përpara”. Pa dyshim, pabarazia gjinore në redaksi dhe mungesa e lidershipit të grave nëpër media i përforcon dhe i mirëmban perceptimet dhe stereotipet e dëmshme gjinore.
ASHT Nicholas Abbott, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, tha: ‘Jam shumë i impresionuar nga studimi hulumtues i cili vendos në një vend një sërë çështjesh serioze që kërkojnë diskutim serioz. Prandaj, shpresoj se raporti dhe ngjarja e sotme nuk janë veçse fillimi i veprimit’. Abbott, shtoi: “Rekomandimet në raport janë shumë të drejtpërdrejta dhe të arritshme. Ju inkurajoj që të vazhdoni me aktivitete për t’u siguruar që rekomandimet të jetësohen’.
Këto studime do të kontribuojnë në angazhimin e vazhdueshëm të PCi-së me mediat në Kosovë dhe në Serbi që të ndërmarrin veprim strategjik që e zgjeron hapësirën për narrativa që kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve dhe në promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Raportet dhe rekomandimet i gjeni në këtë link.