Lëvizja nga marrëveshja(et) në paqe

Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC-të) nga Kosova dhe Serbia deklarohen së bashku në theksimin e rëndësisë së ndërtimit të vullnetit të mirë dhe besimit në mënyrë që të mundësohen marrëveshje politike të cilat realizohen dhe kanë përfitime për shoqëritë e tyre.

E ashtuquajtura status quo po i çon komunitetet në kurs përplasjeje, duke i thelluar ndarjet dhe rrënjosur mjerimin. Njerëzit nuk e dinë se ku janë, e as se çfarë mund të presin për shoqëritë e tyre. Të vetmet gjëra të parashikueshme janë frustrimi dhe zhgënjimi.

Narrativa për diplomacinë shtrënguese – se marrëveshja po na imponohet – vetëm se e minon ndjenjën se zbatimi i saj do të ndodhë me mirëbesim. Ka nevojë që të mund të besojmë se hisedarët janë të përkushtuar ndaj procesit të tyre për arsyet e duhura. Ata duhet t’i mbrojnë zotimet që ata marrin përsipër në emrin tonë.

Dykuptimësia më nuk mund të jetë konstruktive. Pasiguria shkakton pasiguri. Njerëzit nuk e dinë se si kalimi në fazën tjetër do të ndikojë në nevojat e tyre të përditshme konkrete, përfshirë implikimet për vendet e tyre të punës dhe qasjen në shërbime. Kjo nuk është më thjesht çështje e transparencës. Vendim-marrësit duhet të jenë proaktivë në adresimin e brengave legjitime të qytetarëve, e në të njëjtën kohë ta vënë theksin në përfitimet që mund dhe duhet të mos lëshohen nga dora.

Çfarëdo marrëveshje duhet që po ashtu të mbështetet nga garanci specifike. Për të krijuar siguri në dhe për të ardhmen, hapat e bërë përpara duhet të jenë të pakthyeshëm. Duhet  të pushojmë së jetuari në cikël integrimi dhe dezintegrimi. Njerëzit duhet të kenë besim që të investojnë në veten dhe karrierën e tyre, dhe në fund në komunitetet e tyre.

Shumë njerëz tashmë mendojnë se sistemi nuk po punon për ta. Reformat që i trajtojnë nevojat qenësore, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e një sistemi gjyqësor efektiv, nuk po mund të adresohen në mënyrë efektive. Zërat qytetarë nuk janë aq të fortë sa do të duhej të jenë në politikat publike, dhe mundësia për të ndërtuar aleanca qytetare është e cenueshme. Çështjet që e shqetësojnë publikun janë të politizuara në atë mënyrë që nuk mund të ngriten nga shoqëria civile.

Narrativat në radhët e politikanëve dhe në media shumë shpesh e vënë theksin tek dallimi dhe ndarja. Rezultati konkret i kësaj është migrimi jashtë vendit, duke i varfëruar edhe më tej shoqëritë tona pikërisht nga kapitali njerëzor nga i cili ne varemi. Në vend të kësaj, duam të jetojmë në shoqëritë që e lartësojnë diversitetin dhe e shohin atë si një anë të fortë. Besimi ndërmjet njerëzve është kusht i domosdoshëm për të kaluar matanë pengesave që komunitetet tona janë duke i përjetuar prej shumë vitesh.

Ndonëse integrimi në hapësirën evropiane do t’i largojë disa nga përçarjet që i shohim sot, reforma duhet të vijojë si qëllim në vete, e jo thjesht si mjet për të hyrë në BE. Dialogu si i tillë është pjesë qenësore, por e pamjaftueshme e këtij rrugëtimi. Ai duhet të plotësohet nga procese përplotësuese që i transformojnë marrëdhëniet brenda komuniteteve dhe ndërmjet tyre, si dhe i hedhin themelet për një të ardhme paqësore dhe të begatë. Pa këtë, ne rrezikojmë t’i përsërisim gabimet dhe mundësitë e humbura të dekadës së kaluar dhe më shumë.

Nënshkruesit

  1. Aktiv
  2. Centre for Peace and Tolerance (CPT)
  3. Community Building Mitrovica (CBM)
  4. Center for Democracy and Education – Lugina, Bujanovac
  5. Livrit Creative Center, Presevo
  6. Lugina Lajm Portal – Bujanovac
  7. Local Peace, Leposvic
  8. Media Centar, Caglavica
  9. New Social Initiative (NSI)
  10. Radio Peja
  11. Radio Gorazdevac
  12. Radio Astra, Prizren
  13. Professor Vjollca Krasniqi, University of Prishtina
  14. TV Prizreni
  15. Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VoRAE)
  16. Youth Initiative for Human Rights (YIHR) – Kosovo
  17. Youth Initative for Human Rights (YIHR) – Serbia