Ne, të poshtënënshkruarit, dënojmë fuqishëm çdo akt frikësimi drejtuar Sofija Todoroviqit, Drejtoreshë e Programit Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Në veçanti, jemi thellësisht të shqetësuar për mbishkrimet e vendosura në një ndërtesë afër vendbanimit të znj. Todoroviq. Është e domosdoshme që rastet e tilla të hetohen urgjentisht nga autoritetet përkatëse. Askush nuk duhet t’i nënshtrohet kërcënimit me dhunë fizike.
Të gjithë qytetarët duhet të kenë të drejtë t’i shprehin mendimet e tyre për të gjitha çështjet pa frikë nga hakmarrja apo pasojat. Kjo vlen edhe për çështjen e statusit të Kosovës.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut të hapur dhe të qëndrueshëm, pjesë themelore e të cilit është edhe mospajtimi.
Për më shumë se një dekadë, qeveritë përkatëse në Kosovë dhe Serbi kanë qenë të përfshira në dialogun Beograd-Prishtinë, duke arritur kompromise përmes angazhimit sy më sy, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Marrëveshja e fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë është zotim për t’i vazhduar bisedimet, për të vazhduar me gjetjen e zgjidhjeve nga të cilat mund të përfitojnë të gjitha komunitetet. Përderisa është vërejtur një rritje tensionesh, ne fuqishëm besojmë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet de-eskalimi dhe të vendosen themelet e përparimit.
Pavarësisht mendimit për statusin e Kosovës, çdo individ duhet të jetë në gjendje ta shprehë atë haptas dhe me bindje. Përpjekjet për t’i heshtur zërat, siç është rasti tani me znj. Todoroviq, duhet të denoncohen nga të gjithë.
Artikulimi i një vizioni për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kërkon njerëz të gatshëm dhe me guxim ta ngrenë zërin pa frikë nga pasojat. Në mungesë të një konsensusi është edhe më jetike krijimi i hapësirave të sigurta ku mund të propozohen ide dhe të dëgjohen këndvështrime të ndryshme.
Heshtja e perspektivave alternative – veçanërisht përmes kërcënimeve serioze – përfundimisht do t’i dëmtojë jo vetëm marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe vetë zhvillimin e demokracisë.
Ne qëndrojmë në solidaritet me znj. Todoroviq dhe mbetemi të përkushtuar për t’i debatuar çështjet që shkaktojnë tensione brenda dhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synimin që të gjejmë zgjidhje nga të cilat mund të përfitojnë të gjitha komunitetet.
Nënshkrues
- Aktiv
- Belgrade Centre for Security Policy (BCSP)
- Qendra për Demokraci dhe Arsim – Luginë, Bujanoc
- Nismat Qytetare
- Ndërtimi i Komunitetit Mitrovicë
- Fondacioni BFPE për një Shoqëri të Përgjegjshme (BFPE)
- Instituti i Kosovës për Drejtësi
- Lawyers’ Committee for Human Rights (YUCOM)
- Local Peace
- Lugina Lajm Portal – Bujanoc
- Iniciativa e Re Sociale
- Prof. Vjollca Krasniqi, Universiteti i Prishtinës
- Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VoRAE)
- Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS)
- Rahim Salihi, aktivist i shoqërisë civile, Bujanoc
- Ramadan Ilazi, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)