PCi ndan çmimet vjetore për gazetarët dhe mediat për storiet mbi bashkëjetesën shumetnike në Kosovë dhe në Serbi

Në edicionet e Dialogut Konsultativ të Mediave të PCi (bosht kurrizor i punës mediatike në programin tonë në Ballkan), të cilat bëjnë bashkë profesionistë të mediave nga Kosova dhe Serbia për të analizuar skenën mediatike, ka dalë në pah vazhdimisht një çështje – mungesa e storieve për jetën e zakonshme, për jetesën së bashku, për bashkëjetesën paqësore. Pamja mediatike që shqiptarët dhe serbët marrin për njëri-tjetrin nga mediat kosovare dhe serbe është pothuajse ekskluzivisht e zymtë, bardh e zi dhe plot narrativa përçarëse.

Për t’iu kundërvënë narrativave të tilla, pranverën e kaluar PCi lançoi një çmim vjetor për storiet më të mira për bashkëjetesën ndëretnike, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe dhe në dy kategori – në formatin audio/vizual dhe atë të shkruar. Ceremonia e ndarjes së çmimeve për storiet më të mira në gjuhën serbe u mbajt më 28 shkurt në Qendrën e Mediave në Beograd. Ceremonia e ndarjes së çmimeve në gjuhën shqipe do të mbahet të enjten, më 3 mars.  

Juria përbëhej nga tre, ndër më të shquarit dhe më të dalluarit, gazetarë serbë, Jelena Obućina nga Newsmax Adria, Tamara Skrozza nga agjencia e lajmeve FoNet dhe Milivoje Mihajlović i cili punon për transmetuesin publik, RTS.

Çmimi i parë në formatin audio dhe video iu dha Zorica Krstić Vorgučić nga Radio KIM për storien e saj televizive “Pse është e rëndësishme të flasim gjuhën e fqinjëve tanë”. Duke falënderuar jurinë dhe PCi-në, znj. Krstić Vorgučić tha se është e pamundur t’i ikim faktit që serbët dhe shqiptarët janë të distancuar nga njëri-tjetri dhe se bëjnë jetë paralele. “Gjuha është e rëndësishme në mënyrë që të ndodhin ndryshime dhe shumica e serbëve nuk flasin shqip. Janë disa nisma të reja, disa kurse të reja të gjuhës dhe shpresoj që gjërat të ndryshojnë për të mirë”.

Çmimi i parë për formatin e shkruar iu dha Jelena Jorgačević, një reportere nga revista javore e Beogradit “Vreme” për storien e saj “Takimet në urat e rrënuara”. “Ne duhet të informojmë publikun për atë që po ndodh dhe gjërat janë larg të përsosurës. Por ne, gazetarët, nuk kemi pse të jemi piromanë dhe të ndezim flakët e urrejtjes”, tha Jelena me rastin e marrjes së çmimit.

Anëtarët e jurisë theksuan se në shoqëritë e ndara, gazetarët mund të bëjnë shumë më tepër për të përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike. Tamara Skrozza tha se “Rëndësia e storieve të shpërblyera qëndron në faktin se ato shkojnë përtej raportimit të lajmeve të përditshme dhe kanë të bëjnë me jetën reale, e cila është gjithmonë shumë më komplekse dhe madje më e bukur sesa e bëjnë të duket lajmet e përditshme.”