PCi nderon punën e gazetarëve të Kosovës që raportojnë për bashkëjetesën shumetnike

Çmimi për Media i PCi-së për paraqitjen e bashkëjetesës shumetnike në Kosovë, për gazetarët dhe mediat që morën pjesë në kategorinë e përmbajtjeve mediatike në gjuhën shqipe, u nda më 3 mars 2022 në Prishtinë.

Çmimi për Media u krijua si një aktivitet pasues i iniciuar nga edicionet e Dialogut Konsultativ të Mediave të organizuara nga PCi, të cilat përbëjnë boshtin kurrizor të punës mediatike në programin e PCi-së për Ballkanin. Këto diskutime bëjnë bashkë profesionistë të mediave nga Kosova dhe Serbia për të analizuar problemet dhe për të kërkuar zgjidhje për përmirësimin e cilësisë së raportimit dhe për të luftuar narrativat përçarëse. Një përfundim i përsëritur i këtyre diskutimeve ishte se mungojnë storiet për jetën e zakonshme, për jetesën së bashku, për bashkëjetesën paqësore shumetnike, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Pamja mediatike që shqiptarët dhe serbët marrin për njëri-tjetrin nga mediat kosovare dhe serbe është pothuajse ekskluzivisht e zymtë, bardh e zi – dhe e begatë me narrativa përçarëse.

Me krijimin e Çmimit Vjetor për Media, PCi kishte për qëllim stimulimin, promovimin dhe shpërblimin e përmbajtjeve mediatike nga Kosova dhe Serbia që eksplorojnë tema në lidhje me bashkëjetesën e komuniteteve. Konkursi për Çmimin e Mediave u publikua pranverën e kaluar. Thirrjen për Aplikim mund ta gjeni këtu.

Pas ngjarjes në Beograd ku u ndanë shpërblimet për përmbajtjen mediatike në gjuhën serbe, më 3 mars, në Prishtinë u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për kontributet në gjuhën shqipe. Juria përbëhej nga tre gazetarë të shquar kosovarë, Brikenda Rexhepi nga Televizioni Koha, Gentiana Begolli nga transmetuesi kombëtar Radio Televizioni i Kosovës dhe Ismet Hajdari, nga Byroja Kosovare e Agence France-Presse (AFP).

Çmimi i parë në kategorinë audio-vizuale iu dha Ardiana Thaçit për storien e saj “Heshtja që vrau” të cilin mund ta gjeni këtu. Në kategorinë e shkruar, çmimi i parë iu nda Fitim Gashit për Të pastrehët e pandemisë.

Anëtarët e jurisë theksuan rëndësinë e një çmimi që motivon gazetarët në shoqëritë e ndara. Ata theksuan se “Ky është i vetmi çmim i këtij lloji në të gjithë rajonin. Ai inkurajon gazetarët të paraqesin realitetin mes komuniteteve, gjë që ka rëndësi jetike për një bashkëjetesë të shëndoshë shoqërore, pa zemërim dhe urrejtje.”