Përtëritja e zotimeve ndaj kauzës së paqes

Shoqëria civile në Kosovë dhe Serbi ka ripërsëritur përkushtimin e saj për të punuar në mënyrë aktive drejt normalizimit të marrëdhënieve në të gjithë rajonin, në veçanti ndërtimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në përputhje me kushtet dhe frymën e nenit 6 të udhërrëfyesit të fundit për normalizimin, përmes të cilit Palët kanë rënë dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në një sërë fushash.

Ngjarja e dhunshme e 24 shtatorit ka pasur ndikim të thellë në marrëdhëniet brenda dhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një kohë kur ato tashmë kishin ardhur në rënie e sipër.

Narrativat përçarëse – që burojnë nga përbrenda politikës, medias dhe gjetiu – po nxisin tensione, veçanërisht ndërmjet vetë komuniteteve që e bartin barrën e konfliktit.

Ndjenjat e pasigurisë i përshkojnë komunitetet në mënyra shumë të dallueshme dhe të thella. Të gjithë po luftojnë me pasojat përkundrejt shkaqeve të krizës. Kujtimet e së kaluarës po ri-sillen në kujtesë përmes realiteteve të së tashmes.

Kostot e krizës janë më të dukshme se kurrë. Shumë sish raportohet se tashmë janë larguar – ose se po planifikojnë të largohen – jo vetëm nga veriu i Kosovës, por nga mbarë rajoni.

Në një kontekst të tillë, është më e rëndësishme se kurrë të përpiqemi të kuptojmë se si komunitete të ndryshme po e përjetojnë në jetën e tyre të përditshme, kontekstin që po ndryshon me shpejtësi. Kjo ndodh për t’i zbutur ndikimet negative dhe për t’i shpëtuar ato pozitive që vazhdojnë të ekzistojnë, gjersa bëhet përpjekje të rivendoset besimi dhe të ndërtohet mirëbesimi.

Asnjë zhvillim nuk është i mundur kur njerëzit ndihen të pasigurt ose kur kanë paqartësi për të ardhmen e tyre; kur ka dyshime dhe hezitime për atë se çfarë do të ndodhë nesër. Duhet të ndërtojmë themele të forta mbi të cilat mund të ndërtohet një e ardhme e begatë. Përderisa do të ketë dyshime dhe hezitime lidhur me kotësinë e një kursi të tillë, ne besojmë fuqishëm se ka pak alternativa.

Në momente të tilla, mendojmë se është e domosdoshme ta përsërisim zotimin tonë për paqen dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Jemi të përkushtuar që Kosovën dhe Serbinë t’i bëjmë vendet më të mira të mundshme për të jetuar, sidomos për gjeneratat e ardhshme.

Zgjidhja e armatosur e konflikteve nuk duhet të jetë alternativë ndaj dialogut, pavarësisht sa kohë mund të marrë kjo. Ne duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të zhvillojmë nisma të përbashkëta për ta transformuar shoqërinë tonë.

Është jetike që njerëzit të qëndrojnë së bashku për t’u përballur me narrativat që gjenerojnë konflikte, ndërkohë që hapin – dhe vetë mbeten të hapur ndaj – kanaleve të reja të komunikimit dhe burimeve të reja të informatave. Pavarësisht sfidave dhe ngecjeve, ne mbetemi të përkushtuar ndaj një kursi të tillë.

Ne jemi veprimtarë të shoqërisë civile, të përkushtuar për të punuar në mënyrë aktive për normalizimin e marrëdhënieve në të gjithë rajonin. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të të gjitha niveleve që t’i mbështesin hapat për ndërtimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit brenda dhe ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në pajtim me kushtet dhe frymën e udhërrëfyesit të fundit për normalizim – veçanërisht nenit 6, përmes të cilit palët janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen në fusha të ndryshme. Ne dënojmë çdo gjuhë që gjeneron konflikte, e veçanërisht kur ajo drejtohet kundër atyre që i përkushtohen ndërtimit të lidhjeve më të forta ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ne marrim përsipër të bëjmë gjithçka që është e mundur për rivendosjen e besimit – tek njëri-tjetri, tek institucionet tona dhe tek partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne jemi të përkushtuar të krijojmë një mjedis më të mirë, një hapësirë më të gjerë, në të cilën marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve mund të ngriten në shkallë më të lartë për të mirën e të gjithë njerëzve në Serbi dhe në Kosovë.

Nënshkruesit

  1. Aktiv
  2. Artpolis 
  3. Centre for Peace and Tolerance
  4. Community Building Mitrovica
  5. Foundation BFPE for a Responsible Society (BFPE)
  6. Foundation Heartefact Fund, Belgrade
  7. Gorazdevac Media Group
  8. Institute for Public Research – IJI, Gracanica
  9. Kosovo Law Institute
  10. Lawyers’ Committee for Human Rights (YUCOM)
  11. Local Peace, Leposaviq
  12. Livrit Creative Center
  13. New Perspektiva, Kosovo
  14. New Social Initiative (NSI), North Mitrovica
  15. Peer Educators Network – Pristina
  16. Rahim Salihi, aktivist i shoqërisë civile, Bujanoc
  17. Vjollca Krasniqi, University of Prishtina
  18. Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo
  19. Youth Initiative for Human Rights in Kosovo
  20. Youth Initiative for Human Rights in Serbia