Iniciativa për Ndryshime Paqësore ka hartuar raportin që pasqyron punën e saj në mbështetjen e mediave të pavarura në Kosovë për të krijuar partneritete, e posaçërisht për të ndihmuar në mbledhjen, prodhimin dhe shpërndarjen e lajmeve. Raporti është në gjuhën angleze dhe i drejtohet partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe të Serbisë, të cilët mbështesin zhvillimin e mediave të pavarura dhe punojnë drejt ndërtimit të paqes midis njerëzve individualisht dhe midis komuniteteve në përgjithësi. Në mesin e konkluzioneve të paraqitura, raporti sugjeron që projektet ndërkombëtare të shohin mediat vendore si burim të rëndësishëm për të arritur tek komunitetet. Raporti tërheq vëmendjen për situatën e pasigurt financiare të shumicës së mediave të pavarura vendore dhe sugjeron një qasje sistematike për të kontribuuar në qëndrueshmërinë e tyre.
Partneriteti i përshkruar në rastin studimor ishte pjesë e projektit Amplifying Local Voices for Equitable Development, financuar nga Fondi i Konflikteve, Sigurisë dhe Stabilitetit i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.