Shpallet konkursi i dytë vjetor i Çmimit për Media nga PCi

Në një ngjarje të formatit hibrid që po mbahej për herë të parë, PCi shpalli publikisht konkursin e dytë vjetor të Çmimit për Media për bashkëjetesën shumetnike në Kosovë dhe Serbi, në një konferencë për shtyp që u mbajt njëkohësisht në Beograd dhe në Prishtinë. Anëtarët e dy jurive (çmimi ndahet për përmbajtje mediatike në gjuhën shqipe dhe serbe) dhe disa nga fituesit e çmimit të vitit të kaluar folën për rëndësinë e çmimit.

Anëtarja e jurisë për gjuhën serbe, Jelena Obućina, tha se çmimi është një nxitje e shkëlqyer si për gazetarët ashtu edhe për mediat që t’u kushtojnë më shumë vëmendje storieve për jetën e përditshme dhe bashkëjetesën paqësore. Kolegia e saj për gjuhën shqipe, Violeta Oroshi, u pajtua nga Prishtina, duke i ftuar gazetarët që të tregojnë storiet pozitive që ekzistojnë, por që rrallë e gjejnë rrugën deri në hapësirën mediatike. 

Filip Švarm, kryeredaktor i së përjavshmes nga Beogradi VREME, medium ky që fitoi çmimin e parë vitin e kaluar, tha se “në një kohë që është e ngarkuar me lajme të errëta, është kaq e rëndësishme të tregohet jeta dhe bashkëpunimi midis kombeve”. 

Ardiana Thaçi, fituesja e çmimit të parë në kategorinë e formatit audioviziv në gjuhën shqipe, tha se “është detyrë e mediave në gjuhën e shumicës të raportojnë për jetën e pakicave”, siç bëri ajo në storien e saj që u vlerësua me çmim.  

Përmes Çmimit për Media, PCi synon të promovojë dhe të shpërblejë përmbajtjen mediatike nga Kosova dhe Serbia që eksploron tema të lidhura me bashkëjetesën e komuniteteve, me synimin përfundimtar për të kontribuuar në ngushtimin e narrativave të tanishme përçarëse.

Konkursi është i hapur për storie të publikuara ndërmjet 1 janarit dhe 31 dhjetorit 2022 dhe çmimi i parë në të dyja kategoritë (format audio/viziv dhe format i shkruar) është 2,000 euro. Për informacion të detajuar rreth konkurrimit, ju lutemi klikoni në Termat e Referimit më poshtë, të disponueshme në gjuhën angleze, serbe dhe shqipe.

Për të aplikuar, ju lutemi klikoni këtu: https://forms.gle/3XWBbGFMMJqBtiw47.

Afati për aplikim është deri më 31 dhjetor 2022

Press conference, a number of people gathered to watch the launch